Verorja, tashmë pjesë e Trashëgimisë UNESCO

Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Edhe në Shqipëri në 1 mars shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave por edhe meshkujve vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe  e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”. Por pakush e di në Shqipëri se ajo verore dyngjyrëshe është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.

Disa ditë më parë në një takim në ambasadë me Shkëlqesinë e Tij z. Mircea Perpelea, ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, mësova se prej pak kohësh kjo verore ishte bërë pjesë e trashëgimisë botërore. Në 6  dhjetorin e vitit që kaloi pas një vendimi të marrë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Jeju, të Koresë së Jugut, verorja u pranua në  listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit.  Adrian Cioroanu, i dërguari i përhershëm i Rumanisë në UNESCO në datën 6 dhjetor në faqen e tij në fb. cituar nga News.ro shkruante: “Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO! Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë – në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë,  por që ka të njëjtën frymë të festimit të rilindjes së natyrës”.

Mediat vendase njoftonin se të njëjtin lajm e ndau edhe Ionut Vulpescu, nga Ministria e Kulturës dhe Identitetit Kombëtar: “Në pranverë, në 1 mars mbajtëm një konferencë për shtyp ku folëm për fazën në të cilën ndodhej kjo dosje. Dy javë më vonë gjendesha në Paris krah ministres së kulturës së Republikës së Moldavisë Monica Babuc, ku në kuadër të një aktiviteti të organizuar nga Ambasada e Rumanisë  paraqitëm bashkë  këtë dosje përpara Michael Worbs, që është Presidenti i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s dhe përpara anëtarëve të trupit diplomatik të akredituar në Paris. Jemi të gëzuar dhe të kënaqur se përpjekjet tona patën efekt”. Ndërkohë Ministrja e Kulturës e Republikës së Moldavisë,  Monica Babuc lidhur me këtë lajm shkroi në rrjetin social: “Faleminderit dhjetor! Ke qenë bujar me ne në vitin 2016 kur e gjetëm qilimin në listën UNESCO dhe ja sot – veroren!”.

Sipas studimeve etnologjike, verorja është ngushtësisht e lidhur me traditat e Vitit të Ri festuar në të kaluarën në muajin mars,  si një formë primitive e Vitit Agrar i lidhur me ciklet vegjetative dhe astronomike.  Verorja njihet nga etnologët në fillimin e shekullit XX si ritual  i një marsit,  i pranishëm jo vetëm tek rumunët,  por edhe tek shqiptarët dhe bullgarët në Ballkan. Fshatarët e ruanin zakonin në çdo fillim pranvere si shenjë mbrojtjeje kundër sëmundjeve dhe fatkeqësive. Verorja është një objekt i vogël zbukurues që përbëhet nga mpleksja mes një peri të bardhë dhe të kuq që mbahet nga gratë dhe vajzat përgjatë gjithë muajit mars, si simbol i ardhjes së pranverës.

Por cila është domethënia e kësaj veroreje ?

Verorja është festa tradicionale e fillimit të pranverës, në 1 mars.  Fillimet e saj thuhet se vijnë nga Roma e vjetër sepse Viti i Ri festohej pikërisht në datën 1 mars (Martius), që ishte muaji i perëndisë së luftës Mars. Në ngjyrat e verores ruhet dualiteti i simboleve: bardh dhe kuq, pra paqe dhe luftë (kjo do të mund të simbolizonte madje edhe dimrin dhe pranverën). Në ditët tona janë burrat që  ju dhurojnë femrave këtë objekt, fatndjellës, të quajtur verore që është një bizhuteri apo një dekorues i vogël, një lule,  një kafshëz apo një zemër, e lidhur me një pe të kuq dhe të bardhë.

Duke u kthyer në vendin tonë, kjo traditë gjendet tek të krishterët të cilët e vendosin në datën 1 mars ndërsa të tjerë, edhe për mosnjohje të traditës, por edhe sepse veprojnë sipas  kalendarit “alla turka”, e vendosin në datën 14 mars.

Tek arumunët në Shqipëri kjo është festa më e madhe që ka pranvera. Shumë fëmijë  e presin me gëzim dhe bëhen gati për ta vendosur veroren që një natë më parë. Kjo festë eshtë përcjellë brez pas brezi dhe gëzimi për të shprehet hapur dhe lirshëm. Kjo duket edhe në mënyrën sesi  e vendosin veroren dukshëm, pra duke mos e  mbuluar me veshje. Një veçori e këtij rituali tek arumunët në Shqipëri lidhet me vendosjen e më shumë se një veroreje dhe jo vetëm në dorë, por edhe në qafë apo në kyçet e këmbëve. 1 marsi në traditën e arumunëve në Shqipëri, ndoshta edhe si një vijimësi lidhjeje me Rumaninë, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, tek dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithëkush zgjohet,  të ndjejë ardhjen e pranverës. /Gazeta Shqiptare/