“Three Billboards” dhe “I marri fshatit”

Filmi “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” (2017) me regjisor Martin McDonagh, përbëri një goditje financiare për krijuesit, me të ardhura prej 10 fishin e buxhetit, mori dafinat nga kritika e gjerë dhe nga Ceremonia e Çmimeve Oscar. Strumbullari i skenarit të filmit apo trama e tij është tejet e gjetur dhe i drejtohet kujdo. E ëma e një vajze të vrarë në një rast përdhunimi, pas gjashtë muajsh, kohë në të cilën autoritet policore nuk kishin arritur të zbulonin autorin, vendos të publikoj në tre tabela (billboard) përgjatë rrugës kryesore të qytezës. Në këto tabela, personazhi i Mildred Hayes (Frances McDormand) shkruante pyetjen “E përdhunuar teksa vdiste” – “Dhe akoma asnjë arrestim” – “Si mundet Shef Willoughby”, ku Willoughby (Woody Harrelson) ishte drejtuesi i policisë së qytetit.

Tërë filmi në vazhdim vërtitet rreth asaj pyetje dhe publikimi, si dhe jetëve të personazheve të tjerë që përfshihen në këtë rrjedhë. Kjo e fundit në fakt është dhe ceni i filmit, pra pasurimi i një trame shumë të ngjeshur emocionalisht apo tematikisht me nënklima të tjera, që edhe ato janë të ngarkuara. Ky konkurim vijash fabule pasjellin që filmi të humbasin orientim nga fabula kryesore dhe të pësoj çbalancim.

Në fakt, Martin McDonagh është një regjisor-skenarist që shquhet për linjat e shumëfishta në skenar, kjo edhe për shkak të shkollës angleze kinematografike që shquhet për dinamikat e forta. Megjithatë në këtë film natyra e regjisorit nuk ia del mban për dy arsye. Së pari, filmi nuk ka dhe nuk kishte sesi të kishte tempo-ritëm të lartë, gjë e cila e penalizon ndërkalimin tematik. Së dyti, edhe vetë linja kryesore është tejet e thellë në ecje duke mos lejuar linja dytësore më të cekta.

Për t’u rikthyer tek filli i tramës së filmit, që ishte pyetja e personazhit Mildred Hayes, e cila u bë frymëzim edhe në realitet në shumë qytete të botës si dhe në Prishtinën e afërt. Pyetja që një qytetar i thjeshtë vendos t’ia përballë literalisht jo vetëm autoritetit përgjegjës, por tërë qytezës ku banonte. Ambiente këto urbane që ndonëse kontakti ndërpersonal i banorëve është tejet intensiv edhe autoriteti është më represiv.

Përballja e autoritetit dhe ambientit urban me atë pyetje mund të shihet si një risjellje në kohë “e të marrit të fshatit”. Figurë kjo që kinematografia italiane e pas luftës e ka ngritur në kult dhe që përfaqëson personin i cili mbart tërë kusuret dhe veset e ambientit. Një figurë trashëgimtare e arlekinit apo gastorit, që përtallet nga cilido dhe përtall cilindo, ku ndër fjalë edhe pa sens qesëndis sistemin që askush nuk guxon t’a evidentojë.

Zbulesa që bën filmi me tramën e tij dhe ngjarjet që reaksionon është sa e thjeshtë dhe novatore. Në shoqëritë e mbyllura, ku individët kanë pak forcë, një zgjedhje efikase është përballja kolektive e autoritetit me pyetjet e duhura. Në një ambient ku ndihesh i pashpresë se mund të ndodhë ndryshe apo tjetërsoj për mirë, një mënyrë e mirë është të bërtasësh “pse”.